Sarandë, 27 Prill 2025 – Infrastruktura zgjedhore në Bashkinë e Sarandës po shkon drejt përmbylljes, ndërsa përgatitjet për procesin e 11 majit vijojnë me intensitet. Në Komisionin Zonal të Administrimit Zgjedhor nr. 91, që mbulon gjithë territorin administrativ të bashkisë, kryetari Elvis Kuci konfirmon se tashmë janë përcaktuar qendrat e votimit dhe vendndodhjet e tyre, në përputhje të plotë me kërkesat ligjore.
Në këtë proces janë angazhuar 364 komisionerë, të cilët do të shërbejnë në qendrat e votimit të Sarandës dhe Ksamilit.
Në ditët e fundit është bërë edhe shpallja e listave përfundimtare të votuesve. Çdo qytetar ka tashmë mundësinë të kontrollojë emrin dhe qendrën e votimit përmes listave të afishuara në ambiente publike, si dhe online, përmes aplikacionit zyrtar. Sipas Kuci, numri i votuesve për Bashkinë Sarandë arrin në 47.600 qytetarë, duke përfshirë edhe Ksamilin, ndërsa i shtohen edhe 2.700 votues të regjistruar nga diaspora, që ruajnë të drejtën e votës në këtë bashki.
Në këtë fazë, KZAZ nr. 91 është duke përzgjedhur edhe koordinatorët e qendrave të votimit, një për çdo tre qendra, për të garantuar një menaxhim më të mirë të ditës së zgjedhjeve.
Kryetari Elvis Kuci thekson se gjithë anëtarët e KZAZ-së po bashkëpunojnë ngushtë, me synimin për të kurorëzuar një proces zgjedhor të rregullt, të qetë dhe të bazuar në ligj.
Në ditët në vijim, KZAZ-ja do të zhvendoset nga ambientet aktuale në qendrën e re ku do të zhvillohet edhe numërimi i votave.
Profesioniste në fushën e medias dhe edukimit, me përvojë të gjatë në gazetari, bibliotekonomi dhe zhvillimin e projekteve edukative me fokus në etikën dhe komunikimin.
Komente