Saranda po hyn në sezonin turistik 2025 jo vetëm më e përgatitur, por edhe më e njohur dhe më atraktive si destinacion pushimesh, falë pjesëmarrjes së suksesshme në një sërë panaireve kombëtare dhe ndërkombëtare.
Në një intervistë për Blu Televizion, Shefja e Kabinetit të Bashkisë Sarandë, Eliana Shkurti, konfirmoi se promovimi i Sarandës këtë vit ka ndjekur një trajektore në rritje, duke kulmuar me çertifikimin prestigjioz “Green Destination” dhe me prezantimet e suksesshme në panairin e Prishtinës dhe atë të Mentonit në Francë.
“Ne kemi vënë theksin jo vetëm te bukuritë natyrore dhe produktet tradicionale, por edhe te bizneset lokale, të cilat tashmë kanë hapur dyert dhe janë gati të presin pushuesit e kësaj vere,” u shpreh Shkurti.
Edhe këtë vit, sllogani i sezonit turistik në Sarandë do të jetë “All in One”, duke theksuar larminë e përvojave që ofron ky destinacion – nga plazhet mahnitëse, te kultura, gastronomia dhe argëtimi.
Saranda dhe Ksamili janë tashmë më të përgatitura për të mirëpritur turistët vendas dhe të huaj. Investimet e kryera në infrastrukturën rrugore, kapacitetet e shtuara për menaxhimin e prurjeve turistike dhe përmirësimet në lehtësimin e qarkullimit të automjeteve, pritet të kenë një impakt të drejtpërdrejtë në rritjen e atraksionit dhe përmirësimin e përvojës së vizitorëve.
Bashkia e Sarandës dhe strukturat përgjegjëse po punojnë intensivisht që vera e këtij viti të jetë më e suksesshme se kurrë më parë.
Komente