Ceremonitë përkujtimore nuk janë thjesht raste për të kujtuar ata që kanë ndërruar jetë, por janë edhe pasqyra të jetës sonë në lidhje me të tjerët. Kur gazetarja amerikane Jessica Grose mori pjesë në ceremoninë përkujtimore të gjyshes së bashkëshortit të saj, ajo pa para vetes jo vetëm dhimbjen e ndarjes, por edhe bukurinë e lidhjeve familjare që e kishin formuar jetën e saj.
Gjatë fjalimeve të familjarëve dhe nipërve, u paraqit portreti i një gruaje të plotë: që la studimet për të ndjekur dashurinë, por u kthye më vonë për të diplomuar me nderime; që nuk pranonte të humbte në lojëra letrash ndaj nipërve; që protestonte dhe notonte deri në të 80-at. Një shembull i gjallë i forcës dhe karakterit, e që kishte krijuar një familje të madhe dhe të bashkuar.
Grose e ndien veten me fat që është pjesë e një familjeje të tillë. Ajo dhe bashkëshorti i saj kanë ndarë gjithmonë vlerën e lidhjes familjare, dhe sipas saj, qëndrueshmëria e kësaj strukture fillon nga vetë çifti.
Si shembull inspirues, ajo sjell librin e ri "A Marriage at Sea" nga Sophie Elmhirst. Libri rrefen historinë e vërtetë të Maurice dhe Maralyn Bailey, një çifti britanik që mbijetoi për 118 ditë në mes të Oqeanit Paqësor pas shkatërrimit të varkës së tyre nga një balenë. Ajo që filloi si aventurë, u kthye në provën më të madhe të martesës së tyre.
Ata nuk kishin fëmi. Nuk bënë dasmë në kishë. Ata zgjodhën rrugën e lirisë, të larguar nga pritshmëritë sociale. Dhe pikërisht kjo zgjedhje i ndihmoi të forcojnë lidhjen e tyre. Maurice, i cili në fillim ishte kapiteni i padiskutueshëm i udhëtimit, e pranoi në fund që forca e vërtetë ishte Maralyn: "E pashë se ajo ishte më e aftë se unë dhe ia lashë timonin."
Kjo histori, edhe pse dramatike, është një reflektim mbi ndërvarësinë, ndershmërën dhe barazinë në martesë. Për Grose, kjo histori vjen si kundër-peshë ndaj ekstremeve të kulturës bashkëkohore: nga njëra anë, konservatorë që predikojnë kthimin e grave në shtëpi, dhe nga ana tjetër, gra që heqin dorë nga lidhjet heteroseksuale nga zhgënjimi me burrat.
Nuk është fjala për fajësim, por për ndërtim të bashkë. Grose thekson se edhe normat kulturore po ndryshojnë dhe se dashuria që qëndron në kohë vjen nga respekti, ndarja e peshës dhe vullneti për të rritur bashkë.
Gjyshja e bashkëshortit të saj, si dhe Maralyn Bailey, ishin gra me karakter të fortë. Edhe vetë Grose thotë se i ka "cepat e mprehta". Por në fund, çdo martesë e qëndrueshme nuk varet nga perfeksioni, por nga një partneritet që rritet, që sfidohet dhe që, edhe në ditët e vështira, gjen forca të ecë përpara.
Komente