Jo shumë kohë pas inaugurimit si president, John F. Kennedy priti vizitën e tij të parë nga një udhëheqës i huaj. Ai kishte zgjedhur Kwame Nkrumah-in, presidentin e parë të Ganës. Në kontekstin e sotëm, ku Afrika duket jashtë vëmendjes së fuqive botërore, kjo zgjedhje duket e pabesueshme.
Por që si senator, Kennedy kishte filluar ta shihte Afrikën si një kontinent plot premtime, me territore të gjera, vende të reja dhe një popullsi të re. Gjatë fushatës së tij në 1960, ai përshkroi Afrikën 479 herë në fjalimet e tij. Si president, ai donte të konkurronte me Bashkimin Sovjetik për ndikim në kontinent dhe mbështeti edhe kauzën kundër kolonializmit.
Nkrumah mbeti figura kryesore afrikane me të cilën Kennedy komunikonte. Kjo tregon karizmën e tij dhe prestigjin që fitoi pasi udhëhoqi Ganën drejt pavarësisë në 1957. I shtyrë nga ideali i Pan-Afrikanizmit, ai punoi për tejkalimin e ndarjeve që kishte shkaktuar kolonializmi.
Pas vrasjes së Kennedy-t, SHBA nuk u tërhoq plotësisht nga Afrika, por interesi u zvogëlua. Politikën e jashtme e dominoi gara me Moskën, ku ndikimi arrihej përmes aleancave ushtarake dhe mbështetjes së diktatorëve, shpesh pa asnjë konsideratë për demokracinë apo zhvillimin afatgjatë.
Pas Luftës së Ftohtë, angazhimi amerikan u tkurr. Me ardhjen e Trump, edhe ndihma humanitare u vu në dyshim. USAID u shkatërroa praktikisht dhe programi PEPFAR, që kishte sukses në luftimin e HIV-it, u rrezikua.
Në verën e 2025-s, SHBA mendonte të kufizonte hyrjen nga 25 vende afrikane. Njëkohësisht, shqyrtonte mundësinë e kthimit të Afrikës në një vend grumbullimi për migrantët e padëshiruar.
Edhe Europa po e braktis kontinentin. Franca u tërhoq nga Saheli, pas dështimeve në luftë kundër grupeve islamike. Sot, prioriteti i saj kryesor është ndalimi i migrimit. Kina, pas dy dekadash angazhim të fuqishëm, ka ndalur hovin. Huadhënia kineze kulmoi në 2016 dhe prej asaj kohe ka stagnuar.
Përballë kësaj tabloje, logjika e Nkrumah-it mbetet më aktuale se kurrë. Ai nuk e besonte se ndonjë fuqi e huaj do të investonte seriozisht në zhvillimin e Afrikës. Besonte se kjo ishte përgjegjësi e vetë afrikanëve.
Shumë liderë të kohës e përqeshën për idenë e tij të krijimit të një shteti afrikan të bashkuar. Por vizioni i tij ishte gradual: bashkim tregjesh, infrastrukturash, dhe më pas ndoshta federata rajonale që mund të çonin te një bashkim më i madh.
Një burim frymëzimi ishte vetë historia amerikane. Si student në Pensilvani, Nkrumah u frymzua nga Federalist Papers dhe bashkimi i kolonive amerikane. Kjo ishte pamja që kishte për të ardhmen e Afrikës.
Edhe pse u refuzua nga kolegët e tij në Samitin e Addis Abeba-s në 1963, historia e kontinentit e vërtetoi vizionin e tij. Gjashtë dekada me varfër, korrupsion dhe ndarje tregojnë koston e copëzimit.
Sot, popullsia afrikane pritet të dyfishohet deri në 2070. Deri në fund të shekullit, mund të tejkalojë bashkë India-n dhe Kinën. Por zhvillimi do të varet nga vetë afrikanët.
Askush nuk do ta ndihmojë kontinentin për bamirësi. Koha është tani që Afrika të ndjekë rrugën e Nkrumah-it, me bashkëpunim të thellë dhe vizion të guximshëm për të ardhmen.
Komente