"Lumi që nuk fal": Vjosa në rrezik nga nafta, mbetjet dhe betonizimi – Alarmi i ambientalistëve!

"Lumi që nuk fal": Vjosa në rrezik nga nafta, mbetjet dhe betonizimi – Alarmi i ambientalistëve!

Pasuritë natyrore të Shqipërisë vazhdojnë të përballen me rrezik, keqmenaxhim dhe etje për përfitime afatshkurtra. Në qendër të vëmendjes këtë herë është Parku Kombëtar i Vjosës, i konsideruar si “lumi më i egër në Europë”, por që po përballet me kërcënime serioze.

Ndotje hidrokarbure në Gorrisht
Gazetarë nga Gjermania, Italia dhe Shqipëria, së bashku me organizatën EcoAlbania, vizituan disa nga pikat më problematike përgjatë lumit. Ndalesa e parë ishte në Gorrisht, ku mbetjet hidrokarbure nga puset e naftës derdheshin prej vitesh në lumë, duke rrezikuar seriozisht ekosistemin.

“Ky kanal dikur kutërbonte nga nafta. Sot është pastruar, por kjo nuk mjafton. Kërkohet rehabilitim i thellë,” tha Olsi Nika, drejtues i EcoAlbania.

Pas denoncimeve publike dhe raportit të organizatës, kompania Albpetrol ndërhyri në pastrimin e kanalit. Por ekspertët paralajmërojnë se masa duhet të jenë më të thella dhe afatgjata.

Ndotje me beton dhe mbetje industriale
Ndalesa e dytë ishte një tjetër "hot spot", ku rërë bituminoze dhe pirgje mbetjesh janë hedhur në shtratin e lumit. Kjo ndotje vjen edhe si pasojë e strukturave të betonit, të ndërtuara me idenë e mbrojtjes nga përmbytjet.

“Betoni nuk është zgjidhje. Pas dy vitesh këto struktura shkatërrohen. Ne kemi nevojë për mbjellje pemësh, për zgjidhje natyrore,” shtoi Nika.

Ai kujton se pyjet e dikurshme të Selenicës janë zhdukur nga dora e njeriut, duke lënë tokat të pambrojtura nga erozioni.

Uji i burimeve në rrezik – Projekti në Kuç pezull, por jo i anuluar
Ndalesa e tretë ishte në buronjat e Kuçit, ku një projekt për marrjen e ujit nga burimet e Lepushës është pezulluar përkohësisht, por ende përbën rrezik.

“Edhe pse sasia e ujit që do të merret u reduktua nga 176 në 60 litra/sekondë, zona përsëri rrezikon të mbetet pa ujë,” paralajmëroi ambientalistja Kaltrina Hyko.

“Vjosa nuk është vetëm e jona, i përket Europës”

Zëri i ndërkombëtarëve është po aq alarmues. Leonard Sonten, menaxher projekti në EuroNatur, i ardhur nga Gjermania, ishte i drejtpërdrejtë:

“Vjosa është thesar natyror i Shqipërisë dhe Europës. Nuk mund të lihet më në harresë. Është e mbushur me mbeturina dhe e lënë pas dore. Është koha për ndërhyrje të thellë, të qëndrueshme.”

Vjosa nuk fal
Lumi i Vjosës është një nga pak lumenjtë e mbetur të paprekur në kontinentin europian, por kërcënimet po rriten dita-ditës. Çdo neglizhencë sot, do të ketë pasoja të parikuperueshme nesër.

“Vjosa është e jona, por i përket brezave që do të vijnë,” – thonë ambientalistët me një zë.

Lajmi nga: Armand Xhelili
Armand Xhelili

Armand Xhelili

Armandi Xhelilaj është gazetar me përvojë të gjatë në median vizive dhe të shkruar, me fokus në raportimin nga terreni dhe trajtimin e problematikave sociale e komunitare. Me një formim akademik në Gazetari-Komunikim dhe eksperiencë në televizione ai ka dëshmuar profesionalizëm dhe angazhim të vazhdueshëm në fushën e informimit.

Komente

-