Qeveria shqiptare ka vendosur të shpërblejë me 1 deri në 3 paga mujore të gjithë punonjësit që u angazhuan në luftën me zjarret gjatë verës 2025.
Përfitues janë efektivët e Forcave të Armatosura, Policisë së Shtetit, Mbrojtjes Civile dhe shërbimeve zjarrfikëse në nivel vendor. Shpërblimi do të varet nga koha e angazhimit: ata që kanë punuar nga 1 deri në 7 ditë do të marrin 1 pagë mujore, për 8 deri në 15 ditë do të përfitojnë 2 paga, ndërsa për mbi 16 ditë angazhim do të jepen 3 paga mujore.
Pagesat do të llogariten mbi pagën bruto të secilit dhe fondet do të mbulohen nga buxheti i shtetit. Për këtë qëllim, Ministrisë së Mbrojtjes i janë shtuar rreth 193 milionë lekë, ndërsa Ministrisë së Brendshme 69.6 milionë lekë. Shërbimet zjarrfikëse të bashkive do të paguhen nga vetë njësitë vendore.
Vendimi vjen pas nderimit që Kryeministri Edi Rama u bëri 24 efektivëve më të dalluar në operacionet e shuarjes së zjarreve më 27 gusht. Ky është një veprim i paprecedentë që synon të vlerësojë përkushtimin e mijëra punonjësve që përballuan një nga verat më të vështira me mbi 50 mijë hektarë të djegura në të gjithë vendin.
Në fund të sezonit, bilanci është i qartë:
Mbi 50 mijë hektarë të djegura në të gjithë vendin
Mijëra orë pune nga ekipet e zjarrfikësve dhe ushtrisë
Vendim i paprecedent për shpërblimin në shkallë të gjerë
Vendimi i Këshillit të Ministrave është botuar në “Fletoren Zyrtare” dhe hyn në fuqi menjëherë.
Komente