Himara, destinacioni që magjeps turistët nga e gjithë bota

Himara, destinacioni që magjeps turistët nga e gjithë bota

Shqipëria, dikur një sekret i ruajtur mirë i Mesdheut, tashmë po kthehet në një nga destinacionet më të kërkuara nga turistët europianë dhe ata nga mbarë bota. Edhe në fundin e muajit prill, Himara është gjallëruar nga praninë e tyre, duke treguar qartë se sezoni turistik këtë vit ka nisur herët.

Turistë nga vende të ndryshme të Europës, por edhe më larg si India dhe Indonezia, kanë mbërritur në brigjet e mrekullueshme të jugut shqiptar. Ata e përshkruajnë Himarën si një "vend fantastik" dhe Shqipërinë si një "surprizë të bukur", ku natyra e paprekur, mikpritja dhe shijet autentike krijojnë një përvojë unike.

Neina, nga India, rrëfen: "Është hera ime e parë në Shqipëri. Kam qenë në Sarandë dhe tani në Himarë. Është një vend i qetë, me ushqim të mrekullueshëm, njerëz të dashur, plazhe të pastra dhe ujë kristal. Është e mrekullueshme!"

Ndërkohë, një turiste nga Indonezia thotë: "Pasi vizitova Malin e Zi, kërkoja një vend të ngjashëm. Himara më mahniti me qetësinë, ujërat e kristaltë dhe natyrën e pacenuar. Jam shumë e kënaqur që zgjodha ta vizitoj."

Një tjetër vizitor nga Britania shprehet: "Është hera e parë që vij këtu. Ende nuk kam parë gjithçka, por që në hapat e parë Himara më ka lënë mbresa. Me siguri do të rikthehem."
Ndërsa një turist nga Europa me familjen e tij thekson: "Jemi këtu për pushime dhe padyshim do të kthehemi sërish."

Në të njëjtën kohë, operatorët turistikë lokalë tregojnë se turistët e huaj, përveç pushimit në plazhe, kërkojnë të eksplorojnë sa më shumë, duke preferuar shëtitjet me skaf dhe vizitat në zonat përreth.

Të dhënat tregojnë se numri i vizitorëve të huaj në Shqipëri është rritur ndjeshëm nga viti në vit, dhe Himara vazhdon të jetë një nga perlat më të preferuara të Rivierës shqiptare.
Qetësia, natyra e virgjër, mikpritja dhe autenticiteti i saj e bëjnë këtë qytet bregdetar një nga destinacionet më tërheqëse në të gjithë Mesdheun.

Lajmi nga: Marieta Mërkuri
Marieta Mërkuri

Marieta Mërkuri

Profesioniste në fushën e medias dhe edukimit, me përvojë të gjatë në gazetari, bibliotekonomi dhe zhvillimin e projekteve edukative me fokus në etikën dhe komunikimin.

Komente

-