Gjykata Supreme jep dritë jeshile për Listën Serbe

Gjykata Supreme jep dritë jeshile për Listën Serbe

Gjykata Supreme e Kosovës ka refuzuar një ankesë të parashtruar nga dy anëtarë të Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), Sami Kurteshi dhe Alban Krasniqi, lidhur me certifikimin e Listës Serbe për zgjedhjet lokale të 12 tetorit.

Në aktvendimin e datës 28 gusht, Supremja thekson se ankesa e dy zyrtarëve të LVV-së është “e palejuar”, pasi ata nuk kanë legjitimitet për të vepruar si palë individuale në këtë procedurë.

“Duke u nisur nga fakti se ankesa ndaj vendimit të PZAP-it në Gjykatën Supreme është parashtruar nga Sami Kurteshi dhe Alban Krasniqi në cilësinë e anëtarëve individualë të KQZ-së, të njëjtit nuk kanë të drejtë, përkatësisht nuk kanë legjitimitet që të parashtrojnë ankesë në emër të tyre personalisht, pasi që nuk janë palë të drejtpërdrejta sipas vendimit të PZAP-së”, thuhet në vendim.

Gjykata shtoi se sipas nenit 119 të Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme, vetëm Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) si institucion, përmes zyrës së saj, mund të paraqesë ankesë në Gjykatën Supreme kundër një vendimi të PZAP-it.

PZAP urdhëroi certifikimin e Listës Serbe
Javën e kaluar, Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) kishte urdhëruar KQZ-në që të certifikojë Listën Serbe për pjesëmarrje në zgjedhje, pasi fillimisht asaj iu refuzua regjistrimi. Dy anëtarët e LVV-së në KQZ, Kurteshi dhe Krasniqi, ishin të vetmit që votuan kundër certifikimit.

Ky është rasti i dytë brenda vitit kur LVV përpiqet të ndalojë përmes ankesës në Supreme pjesëmarrjen e Listës Serbe, por pa sukses.

Reagime ndërkombëtare
Vendimi për moscertifikimin e Listës Serbe ishte kritikuar nga vendet e QUINT-it dhe Bashkimi Evropian, të cilat i bënë thirrje qeverisë dhe partive politike të mos e pengojnë regjistrimin e kësaj partie.

Lista Serbe, e cila gëzon mbështetjen e Beogradit zyrtar, vendosi të marrë pjesë në zgjedhjet lokale pas bojkotit të zgjedhjeve të vitit 2023. Nëse certifikohet, pritet të rikthejë kontrollin mbi katër komunat veriore me shumicë serbe: Mitrovicë e Veriut, Leposaviq, Zveçan dhe Zubin Potok.

Lajmi nga: BLU TV Reports

Komente

-