Ka fjalë që harrohen, që mbahen mend dhe që mbeten peng, si një peshë e padukshme që e bartim me vete për vite.
Në çdo shkollë, në çdo klasë, ka një fëmijë që rri më pak me të tjerët. Një fëmijë që nuk qesh me të njëjtat gjëra, që nuk vesh të njëjtat rroba, që nuk ka të njëjtin guxim për të ngritur zërin dhe shpesh, ai bëhet shënjestër , jo për atë që ka bërë por për atë që është.
Bullizmi nuk ndodh gjithmonë me grushta. Shpesh, ai fshihet pas një qeshjeje nën zë, një shikimi përçmues, një thashethemi që përhapet me shpejtësi, një injorimi të qëllimshëm në pushim. Është mënyra sesi dikujt i thuhet me ose pa fjalë, “Ti nuk je si ne, ti nuk je mjaftueshëm.”
Dhe më e dhimbshmja është se shumë nga këto plagë nuk duken. Askush nuk i sheh. Nuk ka fashë mjekimi për fjalët që lëndojnë. Nuk ka recetë për heshtjen që të mbush brenda dhe nuk ka mësues që t’i kapë gjithmonë në kohë.
Në fakt, shpesh janë vetë të rriturit ata që i minimizojnë me shprehjet
“Janë fëmijë, do rriten.
Edhe ne kështu kemi kaluar.Ka dhe më keq.”
Por kjo nuk është mënyra, nuk është drejtësi. Sepse nëse një fëmijë del çdo ditë nga shtëpia me ndjenjën se do të duhet të mbijetojë në mjedisin shoqëror edhe sot, atëherë diçka nuk shkon.
Shumë prej nesh kemi qenë me palën e viktimës, agresorit apo thjesht spektatorit që ktheu kokën nga ana tjetër. Dhe e vërteta është se asnjë rol nuk është pa pasoja dhe heshtja është pjesë e problemit.
Ndaj ky muaj Tetor është një mundësi për të ndalur pak. Për të parë me kujdes se çfarë lloj shoqërie po rrisim. Për të kuptuar se çfarë mësimesh po u japim fëmijëve tanë, jo me fjalë, por me sjellje. A i mësojmë ata të përfshijnë apo të përjashtojnë? A i nxisim të ndihmojnë apo të mos përzihen?
Bullizmi nuk është një etapë. Është një përvojë që formëson. Dhe çdo fjalë, çdo veprim, çdo përqeshje e vogël mund të mbetet si një shenjë që s’shlyhet kurrë.
Por edhe e kundërta është e vërtetë. Një mbrojtje e vogël,një fjalë e mirë,një buzëqeshje që e bën dikë të ndjehet në vëmendje.Këto janë ato që shpëtojnë, që ngushëllojnë, që ndërtojnë një kujtim të mirë mes dhjetëra kujtimesh të vështira.
Le të mos presim që fëmijët të jenë heronj në një sistemi që i braktis.
Le të jemi ne shembulli i tyre dhe t’u tregojmë se forca nuk është të tallesh por të mbrosh.Se guximi nuk është të bërtasësh, por të thuash: “Mjaft.”
Sepse ndonjëherë, ndryshimi fillon me një zë dhe është më i fuqishëm kur vjen nga një zemër që e di si është të ndihesh vetëm.
p.s: Ky shkrim është për çdo fëmijë që është ndjerë jashtë vëmendjes.Për çdo prind që ka frikë se i biri është agresori. Për çdo mësues që ka parë dhe ka zgjedhur të veprojë. Dhe për çdo të rritur që ka kujtime që ende dhembin
Dea Hasanaj është Drejtore e Burimeve Njerëzore, Administratës dhe Programacionit në Blu TV. Me formim juridik, ajo koordinon funksionimin organizativ të televizionit, menaxhon stafin dhe siguron zbatimin e standardeve editoriale.
Përveç detyrës drejtuese, Dea është edhe autore dhe shkrimtare opinioni, e njohur për analizat e saj mbi çështje sociale, kulturore dhe mediatike.
Ajo përfaqëson institucionin pranë palëve të treta, dhe kujdeset për ecurinë e bashkëpunimit të brendshëm.
Roli i saj është thelbësor për funksionimin efikas dhe identitetin editorial të Blu TV
Komente