Emiratet e Bashkuara dhurojnë pus uji për Spitalin e Kukësit

Emiratet e Bashkuara dhurojnë pus uji për Spitalin e Kukësit

Një donacion i rëndësishëm nga Shoqata “Gjysmëhëna e Kuqe” e Emirateve të Bashkuara Arabe i ka dhënë zgjidhje përfundimtare problemit të furnizimit me ujë në Spitalin Rajonal të Kukësit.
Pusi i ri i ujit është ndërtuar në kohë rekord prej dy javësh dhe tashmë siguron furnizim të pandërprerë për të gjitha pavionet dhe sallat e spitalit, që më parë përballeshin me ndërprerje të shpeshta të ujit.
Drejtori i Shoqatës, Behar Beko, tha se donacioni kishte për qëllim përmirësimin e kushteve të trajtimit për pacientët:
“Spitali i qytetit të Kukësit prej kohësh ka vuajtur nga mungesa e ujit. Ky projekt u realizua falë mbështetjes nga Emiratet e Bashkuara, dhe jemi të lumtur që kemi kontribuar për një kauzë kaq jetike.”
Nga ana tjetër, drejtori i spitalit, Sajmir Shehu, falënderoi shoqatën dhe e cilësoi projektin si një investim domethënës për sistemin shëndetësor lokal:
“Falënderoj nga zemra Gjysmëhënën e Kuqe dhe z. Behar Beko për këtë vepër shumë të domosdoshme. Furnizimi i qëndrueshëm me ujë është themelor për shërbimet që ofron spitali.”
Mjeku kirurg Emin Ferati theksoi se mungesa e ujit kishte qenë veçanërisht problematike në sallën e operacionit:
“Ne kishim vështirësi të mëdha, sidomos në sallën e operacionit, ku uji duhet të jetë i pandërprerë. Tani kemi një zgjidhje të qëndrueshme.”
Spitali Rajonal i Kukësit u shërben pacientëve nga Kukësi, Hasi dhe Tropoja, dhe përmirësimi i infrastrukturës së tij pritet të ketë ndikim të drejtpërdrejtë në cilësinë e trajtimit për mijëra qytetarë të veriut.

Lajmi nga: BLU TV Reports

Komente

-