Lushnje – Dy aksidente rrugore janë regjistruar pasditen e sotme në kryqëzimin e pushimit të shoferit, një prej zonave më problematike në aksin Lushnje–Fier, duke vënë sërish në alarm autoritetet rrugore.
Një i plagosur dhe dëme të shumta materiale
Në aksidentin e parë, i ndodhur në drejtim të Fierit, një automjet Volkswagen Caddy ka goditur nga pas një Benz, i cili më pas ka përplasur një tjetër Benz përpara tij. Përplasja në seri ka rezultuar me një person të plagosur, i cili është transportuar me urgjencë në Spitalin e Lushnjes nga ambulanca.
“Personi i lënduar ndodhet nën kujdesin e mjekëve,” bëjnë me dije burime nga vendngjarja.
Aksidenti i dytë: Skoda përfundon te barriera mbrojtëse
Vetëm pak metra më tej, në mes të kryqëzimit, një mjet Skoda ka humbur kontrollin dhe ka përfunduar mbi barrierën e hekurt, fatmirësisht pa pasoja për jetën e drejtuesit.
Policia ndodhet në vendngjarje, ndërsa shërbimi i qarkullimit po punon për të normalizuar trafikun, i cili është rënduar ndjeshëm në të dy krahët e autostradës.
Njollë e zezë në hartën rrugore: “Pushimi i Shoferit”
Kryqëzimi ku ndodhën dy aksidentet është prej vitesh një ndër “pikat e zeza” të qarkullimit rrugor në vend. Pavarësisht paralajmërimeve dhe statistikave të larta të ngjarjeve rrugore, ende nuk është dhënë një zgjidhje përfundimtare infrastrukturore.
“Ky segment ishte parashikuar që në projektin fillestar të autostradës me mbikalime për automjetet që vijnë nga Krutja drejt Divjakës dhe anasjelltas,” thonë specialistë të infrastrukturës.
Apel për ndërhyrje urgjente
Pas çdo aksidenti në këtë kryqëzim, zërat për ndërhyrje të menjëhershme dhe respektim të projektit fillestar vetëm sa shtohen. Ndërkohë, qytetarët e zonës e konsiderojnë këtë pikë një rrezik të përditshëm për jetën.
Komente