Britania e Madhe ka vendosur sanksione të reja ndaj zyrtarëve rusë dhe organizatave të lidhura me politikat e Moskës për dëbimin, indoktrinimin dhe militarizimin e fëmijëve ukrainas.
Qeveritë perëndimore dhe aktivistët kanë akuzuar Rusinë se ka dëbuar me forcë mbi 19,500 fëmijë ukrainas drejt territorit rus që nga fillimi i pushtimit në shkurt 2022, duke i zhvendosur në kampe riedukimi dhe duke u përpjekur të fshijnë identitetin dhe kulturën ukrainase.
Gjykata Ndërkombëtare Penale në Hagë ka lëshuar fletarrestim kundër presidentit Vladimir Putin në vitin 2023 për këtë çështje.
Në kuadër të sanksioneve të reja, Britania ka futur në listën e zezë tetë individë dhe tri organizata që akuzohen për përfshirje në këtë politikë të Kremlinit. Mes të sanksionuarve janë:
Anastasia Pavlovna Akkuratova, zyrtare e Ministrisë së Arsimit në Rusi
Valery Maiorov, kreu i Qendrës së Programeve për të Rinj
Fondacioni Akhmat Kadyrov dhe presidentja e tij Aymani Kadyrova, organizata që zhvillon programe riedukimi dhe stërvitje militariste për fëmijët ukrainas
Ministri britanik i Jashtëm, David Lammy, dënoi ashpër këto veprime duke i cilësuar si një politikë të neveritshme që synon zhdukjen e gjuhës, kulturës dhe identitetit ukrainas.
Kjo është një nga disa raunde sanksionesh që Britania ka vendosur kundër Rusisë për këtë çështje, me masat e para të vendosura në nëntor 2024.
Komente