I Deleguari politik i Partisë Socialiste për qarkun e Vlorës, Blendi Çuçi, ka mbërritur këtë të mërkurë në ambientet e Bashkisë së Vlorës, ku ka zhvilluar një takim kokë më kokë me kryetarin e Bashkisë, Ermal Dredha.
Në qendër të diskutimeve pritet të jenë emërimet e fundit në drejtori, një proces i cili ka sjellë zëvendësimin e disa drejtuesve, por edhe pakënaqësi mes deputetëve socialistë të qarkut për mënyrën se si janë përzgjedhur drejtuesit e rinj.
Burime bëjnë me dije se një tjetër temë e bisedës ka qenë edhe ngërçi i krijuar në përfundimin e procesit të zëvendësimeve në disa struktura të tjera të Bashkisë, i cili sipas udhëzimeve të kryeministrit Edi Rama duhej të ishte mbyllur më herët.
Takimi mes Çuçit dhe Dredhës zhvillohet në një kohë kur në kampin socialist në Vlorë ka nisur një lëvizje e re për konsolidimin e strukturave drejtuese, me synim rritjen e eficiencës dhe shmangien e konflikteve të brendshme.
Komente